Image default

Esenca e përfundimit të bukur

Esenca e përfundimit të bukur nuk konsiston në mënyrën se si ke vdekur,
por në mënyrën se si ke jetuar

Shkruan: Edhem Sherkavi

Një sahabij e kreu haxhin së bashku me Pejgamberin (savs), dhe kur ishin në Arafat, ai ra nga deveja, e theu qafën dhe vdiq. Pejgamberi (savs), me atë rast tha:“Lajeni me ujë dhe me keder, dhe mbështilleni me dy çarçafë (qefine), por mos i hidhni misk (parfem), as mos ja mbuloni kokën, sepse ai në Diten e Gjukimit do të ringjallet duke e përseritur telbijen (Lebbejke Allahume, lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk, innel-hamde ven-ni’mete leke vel-mulk, la sherike leke!).”

Shpesh herë dëgjojmë se një musliman/e ka vdekur në sexhde, një tjetër ka vdekur gjatë agjërimit vullnetar, një i tretë duke i dhënë sadakë një të varfri -dhe pastaj ka vdekur. Kjo nuk është rastësi, ky është përfundim i merituar dhe shpërblim për bindjen ndaj Allahut, sepse kush jeton në diçka, ai në të edhe do të vdesë.

Mirëpo, duhet ta dimë se fundi ose përfundimi i bukuri jetës së kësaj bote nuk është i kufizuar vetëm në atë, që dikush të vdesë në sexhde, ose duke agjëruar, ose duke dhënë sadakë, ose duke e kryer haxhin. Përfundim i bukur do të thotë, që vdekja të të vjen, kurse ti nuk ke lënë asnjë namaz pa falë, nuk ke lënë asnjë ditë të agjërimit të ramazanit, nuk ke bërë koprraci në dhënien e zekatit, nuk e ke shtyrë haxhin edhe pse ke pasur mundësi ta bësh.

Kush vdes në bindje ndaj Allahut, llogaritet se ka pasur përfundim të bukur.

Përfundimi i bukur është që vdekja të të vjen, kurse ti nuk e ke privuar të drejtën e askujt, nuk e ke marrë pasurinë e askujt, nuk e ke përvetësuar trashëgiminë e vëllezërve të tu, nuk ke sulmuar në nderin njerëzor dhe nuk e ke ‘ngrënë’ mishin e vëllezërve të tu muslimanë duke i përgojuar.

Përfundimi i bukur është që vdekja të të vjen, kurse fqinjët e tu kanë qenë të kënaqur me ty dhe të sigurt nga e keqja jote, se gjuha dhe zemra jote kanë qenë të buta me miqtë e tu, se ke bërë bamirësi ndaj prindërve të tu, se je sjellë mirë ndaj gruas sate, se i ke ruajtur lidhjet familjare dhe se fëmijët tu i ke edukuar në Islam.

Esenca e përfundimit të bukur nuk konsiston në mënyrën se si ke vdekur, por në mënyrën se si ke jetuar.

Hazreti Ebu Bekri (r.a.), ka vdekur në shtratin e tij, por ka arritur përfundim të bukur.

Hazreti Omeri (r.a.), është plagosur me thikë, por ka pasur përfundim të bukur.

Hazreti Osmani (r.a.), është therur me thikë, por ka pasur përfundim të bukur.

Hazreti Aliu (r.a.), ka vdekur si pasojë e atentatit ndaj tij, por ka pasur përfundim të bukur.

Ebu Ubejde (r.a.), ka vdekur nga murtaja, por ka pasur përfundim të bukur.

Halid ibn Velidi (r.a.), ju ka mbijetuar të gjitha betejave që zhvilloi dhe ka vdekur në shtratin e tij, por ka pasur përfundim të bukur.

Përfundimi i bukur nuk do të thotë vetëm të vdesësh në rrugën e Allahut, por mbi të gjitha, të jetosh në rrugën e Allahut.

Nuk i dihet, ndoshta ai që ka vdekur në aksident automobilistik, në atë kohë ka qenë duke e përmendur dhe madhëruar Allahun, dhe, ndoshta ai që ka vdekur nga sulmi në zemër, ka qenë duke shkuar për të dhënë sadakë të varfërve.

Nuk është detyra jonë të caktojmë se kush do të shkojë në xhenet dhe kush në xhehenem, por t’i lutemi Allahut që të na japë përfundim të bukur.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

TË ngjajshme

Vlera e vizitës së të sëmurit

Radio-Ahireti

Si hapen dyert e mëdha

Radio-Ahireti

Morali i tij ishte Kurani

Radio-Ahireti

Tregimi për njeriun që kurrë nuk kishte bërë lutje për fëmijët e tij

Radio-Ahireti

Në vend të vetëpëlqimit, të lëmë puna të flas për ne…

Radio-Ahireti

Më falni zotëri, ju lutem për vëmendjen tuaj

Radio-Ahireti