kosove,-23-vjet-nga-renia-e-kryekomandantit-te-uck-se-adem-jashari-dhe-familjes-se-tij

Kosovë, 23 vjet nga rënia e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij

Kanë kaluar 23 vjet që kur kryekomandanti dhe një nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, ra dëshmor bashkë me 55 anëtarë të familjes së tij në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt.

Sulmeve të marsit 1998 nga forcat policore serbe në drejtim të shtëpisë së Jasharëve në Prekaz, të cilat zgjatën tre ditë dhe dy net, përkatësisht më 5, 6 dhe 7 mars, i rezistuan vëllezërit Adem e Hamëz Jashari me familjen e tyre, bashkë me disa bashkëluftëtarë tjerë të UÇK-së nga ky rajon.

Por, mbi 5 mijë pjesëtarë të forcave policore serbe vranë në ditën e tretë kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me vëllanë Hamëz Jashari, ndërsa nga ajo që më vonë do të njihej si Masakra e Prekazit, humbën jetën 56 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, përjashtuar vajzën e Hamëz Jasharit, Besartën (atëherë 10 vjeç), e cila shpëtoi.

Sulmeve të njësisë speciale policore serbe në shtëpinë e Jasharëve i parapriu një sulm i pjesëtarëve të UÇK-së ndaj pjesëtarëve të njësisë policore serbe, ku më pas këta të fundit kërkonin ndëshkim dhe synonin t’i kapnin ushtarët e UÇK-së duke i konsideruar ata si “terroristë”.

Ky sulm ndaj familjes Jashari ishte kritikuar nga organizata ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila theksoi se “të gjithat provat dëshmojnë se sulmi nuk ka pasur qëllim për t’i kapur ushtarët e UÇK-së, por për t’i vrarë të dyshuarit dhe familjet e tyre”.

Osman Musliu, imami nga duart e të cilit u qefinosën anëtarët e familjes Jashari

Osman Musliu, imami 59 vjeçar nga Likoci i Drenasit, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon se e kishte përballuar rëndë rënien e familjes Jashari, gjë që ishte bërë shkak që atëkohë ai të mos qëndrojë në Suharekë, aty ku punonte si imam, por kishte vendosur të marrë pjesë në varrimin e kufomave të kësaj familjeje.

Por, me të shkuar në Polac, rreth 5 kilometra larg nga Prekazi, Musliu ishte ndeshur për herë të parë me trupat e pajetë të familjes Jashari të vendosura nën një strehë afër rrugës, pasi ishin ekzaminuar nga autoritetet jugosllave. Ditë më vonë nga i njëjti vend, media ndërkombëtare shfaqën imamin Musliu të përlotur, teksa shikonte trupat e pajetë të Jasharëve.

Sot, ai e ka ende të freskët pamjen që iu shfaq para syve më 10 mars të vitit 1998, në të njëjtin vend, ku qëndroi gjatë gjithë ditës, duke qefinosur të rënët e duke ndihmuar në shkrimin e emrave të tyre mbi arkivole.

“Nga ora 4, kur mbeta i vetmi hoxhë i pranishëm këtu, më shkoi mendja se ndoshta nuk do të ketë kush t’ua falë xhenazet Jasharëve dhe kam dalë atje prapa. Për fat të mirë kibla ishte ashtu siç përshtatej me kufomat dhe kam dalë dhe e kam falur namazin e xhenazes fshehurazi që të mos bie në sy të askujt. Por, e kam kryer namazin pa i ngritur duart në tekbire, vetëm i kam lidhur duart në mes dhe e kam falë namazin e xhenazes për të gjithë, në atë mundësinë time për të treguar se po bëj diçka për këta njerëz, sepse, edhe atëherë isha i vetëdijshëm që këta njerëz do të jenë liria jonë. Unë nuk mendoja se do të shpëtoj. Kush ka menduar se sot do të isha i shpëtuar dhe do të flisja për ta”, thotë Musliu për AA.

Megjithë këtë, ai dhe asnjë nga grupi i tij nuk kishin mundur të bëheshin pjesë e varrimit të nesërmen, kur ata ishin varrosur me traditë Islame nga banorët e Prekazit, por pa praninë e familjarëve, nga të cilët një pjesë ndodhej në Kosovë dhe një pjesë tjetër jashtë.

Imami Musliu thotë se familja Jashari e cila rrjedh nga Shaban e Zahide Jashari, të cilët të dy kishin nga 74 vjet kur u vranë, ishte familje me ndenja të veçanta për atdheun dhe vetëdije të lartë kombëtare dhe fetare.

“Mixha Shaban (babai i Adem dhe Hamëz Jasharit) ka qenë nga ata njerëzit që ka pasur njohuri për fenë Islame sa që kam dëgjuar që është bërë herë-herë edhe myezin dhe ka pasur kolegë disa nga hoxhallarët e gjeneratave të vjetra. Sa, si e tek, unë nuk kam pasur shumë njohuri për këtë familje sepse nuk i kam njohur, por çdoherë kam dëgjuar se kjo familje ka qenë familje fetare Islame, sa që edhe në Ramazan kur ata ishin sulmuar më 22 janar të vitit 1998 në sulmin e parë, nëna Zahide thotë se ishin ngritur për të ngrënë syfyr ndërsa pas syfyrit ishin sulmuar nga forcat serbe”, thekson Musliu.

Në shtator të vitit 2002, me vullnetin e një pjese të familjes Jashari që ishte në mërgim në kohë të luftës, të kryesuar nga vëllai i Adem e Hamëz Jasharit, Rifati, trupat e pajetë u zhvarrosën dhe u bë identifikimi i secilës kufomë, për t’u varrosur në vendin ku edhe sot ndodhen, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij u bënë simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai njihet si “Komandanti Legjendar i UÇK-së”, ndërsa pas vdekjes, atij dhe Hamëz Jasharit iu nda urdhri “Hero i Kosovës” (dekoratë shtetërore për figurat historike) nga presidenti i atëhershëm, Ibrahim Rugova.

Pothuajse 10 vite pas rënies, në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, në Kosovë u krijua slogani “Bac, u kry”, që i dedikohej kryekomandantit Adem Jashari, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.

TË ngjajshme

Ismail Haniyeh: ‘Normalizimi arab me izraelin, mëkat i rëndë politik në kurriz të të drejtave palestineze’

Radio-Ahireti

Afrika Lindore është përfshirë nga një numër masiv karkalecash, pasojat pritet të jenë më të mëdhatë në 25 vitet e fundit

Radio-Ahireti

Hermeus synon prodhimin e aeroplanit supersonik, pasagjerët do t’i dërgojë për 90 minuta nga Nju Jorku në Londër (Foto/Video)

Radio-Ahireti

Finlanda merr presidencën e radhës të BE-së

Radio-Ahireti

Vriten pesë civilë pas shpërthimit të bombës në Algjeri

Radio-Ahireti

Shiu përfundimisht bie në Australi, ndihmon në ndaljen e zjarreve – por ekziston frika se mund të sjellë stuhi

Radio-Ahireti