Image default

KQZ merr përsipër organizmin e zgjedhjeve edhe në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) nuk e ka ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, që të ndihmojë në procesin zgjedhor në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. KQZ-ja, që është institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, konsideron se janë arritur kapacitetet e mjaftueshme për ta mbikëqyrur dhe organizuar vetë procesin zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se ftesa për OSBE-në nuk është bërë, pasi tashmë janë konsoliduar trupat zgjedhore.

“Misioni i OSBE-së në zgjedhjet paraprake ka pasur rol këshilldhënës dhe mbështetës për trupat lokale zgjedhore. Ne tani konsiderojmë se këto trupa janë konsoliduar mjaftueshëm dhe se janë të gatshëm që të përmbushin vetë detyrimet që dalin nga ligji dhe rregulloret në fuqi”, tha Elezi.

Ai rikujtoi se edhe në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme për kryetar komune të Mitrovicës së Veriut, në nëntor të vitit 2020, zgjedhjet janë organizuar pa problem nga KQZ-ja.

Marrëveshje e fshehur?

Analisti Fisnik Halimi e konsideron si lajm të rëndësishëm faktin që KQZ-ja do të organizojë vetë zgjedhjet në veri, por ai dyshon se ka marrëveshje të fshehur për këtë.

“Unë mendoj se ky aranazhim është pjesë e ndonjë marrëveshjeje të Uashingtonit ose Brukselit. Konsideroj se kjo mund të jetë mbajtur fshehur nga politikanët, pasi nuk besoj që ky hap do të ndërmerrej pa pasur një siguri nga Beogradi që zyrtarët zgjedhorë më 14 shkurt do të jenë të sigurt”, tha Halimi.

OJQ-të e mbështesin vendimin

Organizatat që merren me monitorimin e zgjedhjeve e mbështesin këtë vendim. Dushan Radakoviq nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike”, me seli në Mitrovicën e Veriut, thotë se ky vendim ishte i domosdoshëm.

“Realisht, ka qenë koha e fundit që KQZ-ja të marrë vetë përsipër të gjithë procesin e organizimit të zgjedhjeve”, tha Radakoviq, organizata e të cilit është pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

“Do të jetë sfidë për KQZ-në dhe test se sa mund të organizojë zgjedhje të lira e të drejta. Por, nuk e shoh problematike këtë proces, pasi edhe ne si ‘Demokraci në Veprim’ do të japim kontributin tonë. Pra, i tërë procesi do të jetë nën monitorim”, tha Radakoviq.

Misioni i OSBE-së, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013, është ftuar që të asistojë në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kjo është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

The post KQZ merr përsipër organizmin e zgjedhjeve edhe në veri appeared first on Mesazhi.com.

TË ngjajshme

LVV falënderon qytetarët: Të festojmë në shtëpitë tona

Radio-Ahireti

KQZ deri tani ka refuzuar rreth 5 mijë zarfe me fletëvotime nga diaspora

Radio-Ahireti

Koronavirusi në Shqipëri, 15 viktima në 24 orët e fundit

Radio-Ahireti

Zelanda e Re pezullon marrëdhëniet me Mianmarin

Radio-Ahireti

Fëmijët e kthyer nga Siria, sërish në shkolla

Radio-Ahireti

Brenda disa dite fillon verifikimi i votave të diasporës, numërimi i tyre kryhet për dy ditë

Radio-Ahireti