Image default

Kryetarja e Kuvendit nuk e njeh ligjin, kërkon dy anëtarë më pak për Bordin e OSHP-së

Shumë ankesa e vetëm tre anëtarë të Bordit. Kjo është praktika që e përcjellë këtë institucion tash e pesë vite.

Në mars të këtij viti, ky institucion do të mbetet pa tre anëtarët e Bordit, kryetarin Blerim Dina dhe dy anëtarët Goran Milenkovic e Nuhi Paçarriz. Të treve do t’iu skadojë mandati pesëvjeçar që u ishte dhënë nga Kuvendi i Kosovës në mars të 2016-ës, shkruan lajmi.net.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës të fillojë procedurat për rekrutimin e vetëm tre anëtarëve të Bordit të OSHP-së, aq sa janë aktualisht. Ligji e përcakton qartë se Bordit i OSHP-së përbëhet nga pesë anëtarë “OSHP përbëhet nga pesë (5) anëtarë; që emërohen për një mandat pesë (5) vjeçar dhe mund të riemërohen vetëm një herë. 2. Anëtarët e OSHP-së të cilët ishin emëruar nën miratimin e mëhershëm do të mbajnë mandatin deri në skadimin e atij emërimi, dhe mund të ri-zgjedhën vetëm nëse ata kanë qenë të kualifikuar për ri-emërim nën ligjin aktual në kohën kur ata ishin emëruar. 4. Kryetari dhe anëtarët e OSHP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi në bazë të rekomandimit që është marrë nga një organ përzgjedhës i pavarur i themeluar nga Kuvendi. Organi përzgjedhës i pavarur do të përbëhet prej tre gjykatësve të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet në kapitullin “Emërimi i anëtarëve të OSHP-së”, në  nenin 100 të Ligjit të Prokurimit Publik Nr 04/L -42.

As Kuvendi i Kosovës, e as këshilltarët e Osmanit nuk kanë dashur të japin asnjë sqarim për lajmi.net pse ka kërkuar tre anëtarë të Bordit dhe jo pesë.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e kryeministrit se si ka ndodhur që të hapet konkurs për kryetar të OSHP-së dhe dy anëtarë tjerë, ndërkohë që ky institucion duhet të ketë pesë anëtarë.

Zyra për komunikim me publikun e kryeministrit ka thënë për lajmi.net se ka proceduar në bazë të kërkesës së pranuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Ju njoftojmë se Zyra e Kryeministrit ka pranuar shkresën e  Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 3371/3  të datës 16.12.2020, duke u bazuar në Ligjin Nr. 05/L-092  të ndryshuar dhe plotësuar  me Ligjin nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik me të cilën  Qeveria e Republikës së Kosovës  është obliguar, që të  inicioj  procedurën  për propozimin e kandidatëve për kryesues dhe dy (2) anëtar të OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit.

Kjo zyrë ka dërguar në adresë të lajmi.net edhe kërkesën e Kuvendit të nënshkruar nga kryeparlamentarja,Vjosa Osmani për emrin e anëtarëve të OSHP-së.

“I nderuar z. kryeministër. Më qëllim të funksionimit ligjor të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kërkojmë që në pajtim me nenin 100 të ligjit bazik, nenit 3 të Ligjit nr.05/L-092 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik, i ndryshuar dhe plotësuar, që të inicioni procedurën ligjore, që t’i propozoni kandidatët për kryetar dhe dy anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Kryetari dhe dy anëtarët e Bordit të OSHP-së, janë emëruar më datën 20 mars 2016 nga Kuvendi i Kosovës, me mandat pesë vjeçar”, thuhet në kërkesë.

“Kërkohet që gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar dhe dy anëtarë të Bordit të OSHP-së, të respektohen dispozitat e Ligjit nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për barazinë gjinore”, thuhet në fund të kërkesës së Kuvendit drejtuar Qeverisë.

Bashkë më këtë kërkesë, Osmani i ka drejtuar kryeministrisë edhe skadimin e mandatit të tre anëtarëve të Bordit të OSHP-së, ku thuhet se skadon më 30 mars 2021. Siç duket, Osmani ka proceduar me kërkesë duke mos e njohur ligjin, pasi ka pasur parasysh vetëm tre anëtarët aktual që janë në Bord të OSHP-së emërimin e të cilëve e ka pasur para vetes.

Kur ishin emëruar këta tre anëtarë, OSHP-ja ka pasur dy tjerë që kanë qenë duke e ushtruar punën, por nuk arrinin të bënin kuorumin.

Ndërkohë, OSHP-ja, më 6 korrik 2017, kishte pranuar rekomandimin nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që ndaj 2 anëtarëve të OSHP-së të iniciohet procedura e suspendimit me pagesë për 50 % të pagës. Bëhet fjalë për dy anëtarët që ishin emëruar në vitin 2011, Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu.

Kërkesa e Veselit ishte bërë, pasi më 4 korrik 2017, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me një shkresë, kishte njoftuar Kuvendin se ekziston një aktakuzë ndaj dy anëtarëve të Bordit të OSHP-së. Ai i kishte rekomanduar OSHP-së që t’i suspendojë ata. Sylejmani e Salihu ngarkoheshin nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se kanë kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Me të ardhur në pushtet, kryeministri, Ramush Haradinaj kishte tentuar që të plotësojë këto dy pozita. Qeveria kishte hapur konkurs për dy pozitat, ndërkohë lidhur me këtë konkurs, kryeministri Hoti para pak jave kishte dërguar në Kuvend emrat e pesë kandidatëve, por nuk ishte arritur që të bëhej përzgjedhja e tyre.

Në OSHP thanë për lajmi.net se përgjatë këtyre viteve kanë funksionuar më vështirësi për shkak të mungesës së dy anëtarëve të Bordit, por thonë se kanë arritur të kryejnë punën.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit  ju sqaron se edhe përkundër ngarkesës që bordi aktual ka lidhur me shqyrtimin e ankesave te parashtruara për vitin 2020, e  qe janë në numër mjaft të madh, OSHP vendimet i merr në afatin ligjor të paraparë me LPP”, thuhet në një përgjigje të OSHP-së për lajmi.net.

Megjithëkëtë, janë rreth 70 ankesa të grumbulluara që për to akoma nuk ka një vendim gjykues nga Paneli i OSHP-së.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësit e përcaktuara me Ligji Nr. 04/L-042. Struktura organizative e OSHP-së është: Kryetari i OSHP-së, anëtaret e OSHP-se, kryesuesi i Sekretariatit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka edhe administratën e shërbyesve civil, konform organogramit të OSHP-së, të cilin e aprovon Kryetari i OSHP-së. Paneli  Shqyrtues ka kompetencën, autoritetin, fuqinë dhe përgjegjësinë, nën kushtet e specifikuara në LPP, që: T’i shqyrtojë ankesat e palëve të interesuara në lidhje me shkeljet e pretenduara të Ligjit Prokurimit Publik; Të hedhë poshtë ankesën e dorëzuar si të pabazuar, apo si të atillë që nuk bie brenda kompetencave të OSHP-së; Të vendosë për ankesat e drejtuara atij në pajtim me Ligjin; Të ndërmarrë veprime të tjera të arsyeshme për të përcaktuar nëse ka ekzistuar shkelje e Ligjit dhe nëse po, çfarë masash të merren; Të nxjerrë urdhra të përkohshëm dhe përfundimtarë; Të marrë vendime për shpenzimet procedurale.

Bordi i OSHP-së që nga themelimi i këtij institucionit ka pasur probleme me ligjin. Aktualisht tre anëtarët e Bordit të OSHP-së janë nën hetime, nën dyshime për keqpërdorim të detyrës. Rasti më i “nxehtë” është ai i Autostradës së Gjilanit. /Lajmi.net/

TË ngjajshme

Telogu Hamiti: Palestina është dashur ta njoh moti Kosovën, e jo të rreshtohet me Serbinë

Radio-Ahireti

Gjykata Speciale cakton seancën e radhës ndaj Salih Mustafës

Radio-Ahireti

Mbi 5 mijë raste aktive me Covid-19 në Kosovë

Radio-Ahireti

Tre ministra brenda një viti, kaq para u shpenzuan për udhëtime, mëditje, dreka e karburant në MTI

Radio-Ahireti

Shala i PDK-së për sondazhet: Jo reale dhe nuk kanë asnjë bazë në teren

Radio-Ahireti

Flet 18-vjeçari që u keqtrajtua nga polici: Më ka lënë me pasoja, jam largu prej fakultetit

Radio-Ahireti