mbi-dhikret-dhe-duate-pas-namazeve-ditore

Mbi dhikret dhe duatë pas namazeve ditore

Meqë jemi në prag të Muajit Ramazan, ku shtohen lutjet, adhurimet, pendimi dhe kthimi nga Allahu i Madhëruar dhe feja e Tij, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj një material të shkurtër mbi vlerën e duasë, sidomos pas namazeve ditore, nga fakihu dhe muhadithi i shquar Shejkh Muhammed Hashim Et-Tettevi Es-Sindi (1104-1174 h.), me përkujdesjen e dijetarit të shquar Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh (1336-1417 h.).

ORIGJINA E DUASË PAS NAMAZEVE OBLIGATIVE ËSHTË SYNET I PËLQYER–

Hadithe të transmetuara në këtë kapitull –I mbështetur në Allahun e Madhëruar, them:

1. Transmetohet nga Tirmidhiu në “Sunen-et” e tij, Nesaiu në “Amelul-jeumi vel-lejle”, nga Ebu Umame El-Bahili (r.a), që thotë: E pyetën, o i dërguar i Allahut, cila është duaja që dëgjohet më shumë? Tha: “Pjesa e fundit e natës dhe pas namazeve obligative”.Dijetari i shquar Abdulhak ed-Dehlevi, thotë: “Në dukje, shprehja: “pas namazeve ditore”, ka për qëllim lidhjen e duasë me përfundimin e farzit.

2. Transmetohet nga Bukhariu në “Et-Tarikhul-Eusat”, nga El-Mugire ibn Shu’be (r.a), se: “Resulullahu (a.s) bënte lutje pas çdo namazi…”

3. Transmetohet nga Muslimi, nga Thoubani (r.a), që thotë: “Kur Resulullahu (a.s) mbaronte namazin, i kërkonte falje Allahut, tre herë, pastaj thoshte: Allahumme entes-Selamu ve minkes-Selamu tebarekte ja Dhel-Xhelali vel-Ikram”.E kanë pyetur Euzaiun, njërin prej transmetuesve të këtij hadithi: Si kërkohet falje? Është përgjigjur: “Të thuash: Estagfirullah, estagfirullah, estagfirullah”.

4. Transmetohet nga Bukhariu dhe Muslimi në “Sahih-ët” e tyre, nga Ebu Davudi dhe Nesaiu në “Sunen-ët” e tyre, nga El-Mugire ibn Shu’be (r.a), që thotë, se: “Resulullahu (a.s), kur kryente namazin thoshte: La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir. Allahume la mania lima a’tejte, ve la mu’tije lima mena’te ve la jenfau dhel-xheddi minkel-xheddu”.Në një transmetim të Bukhariut, se: “Resulullahu (a.s) i thoshte këto fjalë pas çdo namazi”.E, në një transmetim tjetër të Bukhariut: “pas çdo namazi obligativ”.

5. Transmetohet nga Muslimi në “Sahihun” e tij dhe nga Ebu Davudi dhe Nesaiu në “Sunen-ët” e tyre, nga Abdull-llah ibn Zubejr (r.a): “Thoshte pas çdo namazi, pasi jepte selam: La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir…”.Ibn Zubejri thoshte: “Resulullahu (a.s) i thoshte këto fjalë pas çdo namazi”.

6. Transmetohet nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ibn Abbasi (r.a): “Ngritja e zërit me dhikre, pasi njerëzit mbaronin namazin, ka ekzistuar që në kohën e Resulullahut (a.s)”. Ibn Abbasi thoshte: “E kuptoja kur përfundonin, teksa i dëgjoja!”Dhe në një transmetim tjetër: “Nuk e dinim se kur përfundonte namazi i Resulullahut (a.s), veçse nga tekbiret”.

Natyrshëm, ka edhe shumë transmetime të tjera, mbi bazën e të cilave janë formësuar traditat e bukura, që i praktikojmë edhe sot, pas çdo namazi, në ato që quhen virdet e pas namazeve ditore.Allahu jua pranoftë e ju shtoftë dashni e afrim me Madhninë e Tij!

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:

Muhamed Bardhyl Sytari

Shkodër, 11 prill 2021

TË ngjajshme

Ramazani është koha e ngjalljes së zemrave tona

Radio-Ahireti

Tre këshilla nga Pejgamberi a.s.

Radio-Ahireti

Serum i zemrës – ëmbëlsia e duasë

Radio-Ahireti

E keqja nuk mposhtet duke folur për të, por duke bërë vepra të mira…

Radio-Ahireti

Përkujtues për gjysmën e ramazanit

Radio-Ahireti

Fjala e bukur, oksigjen i shpirtit

Radio-Ahireti