raporti-i-‘amnesty-international’-per-2020-ve-ne-pah-problemet-e-brendshme-te-kosoves

Raporti i ‘Amnesty International’ për 2020 vë në pah problemet e brendshme të Kosovës

Organizata arrin në përfundimin se gjatë 2020, pandemia dhe masat e marra për të vënë nën kontroll sëmundjen nxorën në pah me ngjyra të forta dhe në disa raste përkeqësuan edhe më shumë pabarazitë ekzistuese dhe tendencat për keqtrajtimin e grupeve të caktuara të popullatës.

Në kapitullin për Kosovën përmendet edhe aktakuza ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithashtu sulmet ndaj gazetarëve dhe pabarazia gjinore e dhuna në familje.

KOSOVA 2020

Përmbledhje: Në kapitullin për Kosovën, raporti vëren ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj një numër figurash politike, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. AI po ashtu nënvizon me zhgënjim se shumë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës nuk po aplikojnë për përfitimet e statusit të të mbijetuarve si rezultat i stigmës që shoqërohet me këtë status në shoqëri. Gjatë vitit të mbuluar nga raporti, AI përmend shtim të rasteve të dhunës në familje si dhe vazhdim të diskriminimit ndaj romëve.

E vërteta, drejtësia dhe dëmshpërblimet

Amnesty International vëren hapjen e procedurave gjyqësore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë. Organizata vlerëson faktin që në procedura u lejuan të marrin pjesë dhe të kualifikohen për dëmshpërblime viktimat e akteve nën gjykim. AI përmend në raport akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe politikanëve të tjerë, ndër ta Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, lidhur me krime të kryera gjatë periudhës së luftës, përfshirë vrasjen e 100 civilëve – grup i përbërë nga shqiptarë të Kosovës, serbë dhe romë.

Organizata ngre shqetësim për nxjerrjen e dokumenteve sekrete që përbanin identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, gjë që u pasua me ngritjen e akuzave ndaj dy zyrtarëve të Kosovës për kërcënim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

AI ndalet në raport dhe në vendimin e gjykatës së apelit për të përgjysmuar dënimin ndaj ish-komandantit serb, Darko Tashiç i shpallur fajtor për krime të luftës në Krushë të Madhe.

Të Zhdukurit

Amnesty International përsërit në raportin e 2020 mungesën e përparimit në ndriçimin e fatit të 1,643 të zhdukurve, megjithë thirrjet e familjarëve që qeveria e Kosovës dhe ajo serbe të hapin arkivat për të ndihmuar në identifikimin e trupave.

Dhuna me Bazë Gjinore

Raporti i fundit i AI arrin në përfundimin se një numër shumë i vogël grash kanë paraqitur kërkesë për të përfituar nga statusi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës që i kualifikon ato për pension mujor. Orgnizata shprehet se megjithëse mijëra gra kanë kërkuar ndihmë psikologjike si pasojë e dhunës seksuale, shumë nga viktimat mbeten të ndrojtura nga stigmatizimi që shoqëron daljen publikisht si objekt i dhunës seksuale.

Raporti gjithashtu përmend ngritjen e akuzave ndaj një ish-polici serb të Kosovës për përdhunimin në maj 1999 të një 16-vjeçareje në Mitrovicë.

Liria e Shprehjes

Gazetarët investigativë vazhdojnë të ndeshen me kërcënime dhe sulme, deklaron në raport Amnesty International, duke sjellë si shembull kërcënimet dhe padinë e ngritur ndaj gazetares Jeta Xharra nga zyrtarë të lartë qeveritarë, si dhe të shtënat me armë ndaj makinës së gazetarit Shkumbin Kajtazi para banesës së tij në Mitrovicë, ndërkohë që ish-Kryeministri Ramush Haradinaj u është referuar gazetarëve me termin “mercenarë”.

E drejta për Jetë të Shëndetshme

Organizata veçon nën këtë paragraf thirrjet e zyrtarit të OKB-së për substancat toksike që strukturat e Kombeve të Bashkuara “t’u kërkojnë ndjesë pakicave rome, ashkalie dhe egjiptase për ekspozimin ndaj niveleve të rrezikshme të plumbit gjatë kohës që qëndruan në kampet e refugjatëve të administruara nga OKB-ja”.

Sipas raportit të vjetshëm të një OJQ-je, këto grupe pakicë ishin gjithashtu të marxhinalizuara edhe në qasjen ndaj testeve për COVID-in.

Dhuna ndaj Grave e Vajzave

Dhuna në familje shënoi rritje prej 36% në mars 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në dhjetor, shtatë gra kishin humbur jetën nga dhuna në duart e bashkëshortit apo partnerit.

Në qershor 2020, Luljeta Alija paraqiti padi për diskriminim kundër policisë së Prishtinës pasi nuk ishte pranuar ankesa e saj se bashkëshorti kishte shkelur urdhrin e gjykatës për mbrojtjen e saj, të nxjerrë si rezultat i dhunës që ai kishte ushtruar mbi zonjën Alija. Sipas padisë, policia nuk e kishte pranuar ankesën pasi zonja Alija “nuk ishte e veshur si duhet”.

TË ngjajshme

Krasniqi: Veriu jashtë kontrollit, vizitat të bëhen në bashkëpunim me KFOR-in

Radio-Ahireti

Vendos Qeveria e Zvicrës: Nuk ka hapje të restoranteve më 1 mars

Radio-Ahireti

Osmani takohet me presidentin e Senatit Zviceran: Diskutuam për investimet e reja

Radio-Ahireti

Haziri kërkon nga Qeveria që t’ua përmbush kërkesat transportuesve publik

Radio-Ahireti

Ahmeti godet Kurtin: Vaksinat ruse s’janë të dëmshme, shpjegimi yt nuk është i duhuri për jetët e humbura nga koronavirusi

Radio-Ahireti

Gashi: Qeveria rrëzohet nëse e kundërshtohen dialogun

Radio-Ahireti