Image default

Sulmi ndaj djalit të Nenad Rashiq po cilësohet si politik

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personat me inicialet C.Z., B.Z., M.R., D.N., M.J., D.T., L.K., dhe një të mitur, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton lajmi.net.

Si pasojë e kësaj rrahje, djali i Rashiq ka pësuar lëndime të rënda trupore, gjendja e të cilit është konstatuar nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Djali i politikanit serb në Kosovë, raportohet se është rrahur teksa po dilte nga shkolla në Llapnasellë të Graçanicës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për lajmi.net arrestimin e tetë personave, teksa ka thënë se rasti ka ndodhur afërsi të shkollës në Llapnasellë të Graçanicës.

“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të shkollës në Llapnasellë, ku kanë qenë të përfshirë disa persona. Me të marrë informatën njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet se një person mashkull , ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i mitur). Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësi I policisë në Prishtinë, Agron Borovci.

Sipas informacioneve të para ai është sulmuar nga një grup prej 8 personash, të cilët thuhet se kanë pasur me vete edhe mjete të forta.

Ndërkohë,  Rashiq ka thënë se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiçë.

Por, a ishte politik sulmi ndaj djalit të politikanit serb?

Reagime të ashpra në Kosovë kanë ardhur menjëherë pas konfirmimit të rastit të rrahjes së djalit të Rashiq, raporton lajmi.net.

Ishte, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili fillimisht reagoi për këtë rast, duke  thënë se ky krim ka të bëjë me mosnënshtrimin e babait të tij ndaj kërcënimeve të Serbisë

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë. Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”, ka thënë ai.

Kurti ka shkruar se në qeverinë e tij të re do të punojnë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt.

Sulm, politik rastin e djalit të Rashiq, e ka quajtur edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Osmani, këtë sulm e ka cilësuar si akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejtë t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, ka theksuar Osmani në reagimin e saj.

Edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka thënë se krimi i vetëm i të birit të Rashiq ishte se është fëmija i një politikani që nuk iu nënshtrua Beogradit.

“Një djalë 18-vjeçar u rrah nga një bandë e serbëve në Graçanicë sot. Krimi i tij i vetëm është të qenit i biri i Nenad Rashiq – një politikan progresiv i pavarur në Kosovë, të cilin nuk mund ta kontrollojë Beogradi. Tetë njerëz janë arrestuar, deri më tani. Kërcënimet dhe dhuna duhet të ndalen”, shkroi Citaku.

Edhe, kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se ky është rasti i fundit, në një seri ngacmimesh të kryera kundër figurave të opozitës serbe në Kosovë.

“Unë e dënoj fuqishëm sulmin kundër djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rašić. Nxis policinë të hetojë këtë rast dhe të arrestojë ata që janë përgjegjës për këtë akt. Ky është i fundit, në një seri veprimesh ngacmimesh të kryera kundër figurave të opozitës serbe të Kosovës.”, ka shkruar Hoxhaj.

Edhe, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se fëmijët e politikanëve nuk mund ta bartin mbi supe luftën politike të prindërve e aq më pak atë brenda komunitetit të tyre.

“Dënoj ashpër aktin vandal të rrahjes së djalit të politikanit Nenad Rashiq që i takon komunitetit serb, pa marrë parasysh motivet. Fëmijët e politikanëve nuk mund ta bartin mbi supe luftën politike të prindërve e aq më pak atë brenda komunitetit të tyre, dhe i ftoj organet kompetente që sa më parë të zbardhin rrethanat dhe kryesit e këtij akti të shëmtuar që siç po duket – tenton asgjë më pak se minimin e përpjekjeve për mirëintegrim ndëretnik në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Për sulmin ndaj djalit të Rashiq ka reagua edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ai ka thënë se dhuna e tillë është e papranueshme. Abott ka kërkuar që fajtorët të dalin para drejtësisë.

“Dhuna e tillë qoftë fizike apo verbale, është e papranueshme ndaj askujt, por është veçanërisht tronditëse ndaj një personi të ri. Unë kërkoj që Policia e Kosovës të hetojë shpejt këtë incident dhe të gjejë ata që nxitën dhe morën pjesë në këtë incident”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka akuzuar Listën Serbe dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq për incidentin e sotëm në Llaplesellë, ku është rrahur i riu Nikolla Rashiq.

“Djali i Nenad Rashiqit, politikanit opozitar serb nga Kosova, brutalisht është rrahur pranë shkollës në Llaplesellë”, ka shkruar Trajkoviq në një postim në Twitter. Trajkoviq thotë se djali i politikanit serb u sulmua nga 30 persona.

“President Vuçiq shiheni se me çfarë metodash Lista juaj serbe arrinë ‘fitoret’ e saj me 95%”, ka shkruar Trajkoviq. /Lajmi.net/ 

TË ngjajshme

Pallaska: Vetëvendosje e pa konkurrencë në rajon për propagandë

Radio-Ahireti

Vendos Qeveria e Zvicrës: Nuk ka hapje të restoranteve më 1 mars

Radio-Ahireti

Kuvendi thotë se ka kërkuar të hapet konkurs për pesë anëtar të Bordit të OSHP-së, jo vetëm për tre

Radio-Ahireti

KQZ vendos të rinumërohen 12 vendvotime

Radio-Ahireti

Turqia me liri të kufizuar të shtypit: Gazetarë të burgosur, gjobitur e kërcënuar

Radio-Ahireti

Behramaj: Thaçi është gjithçka që Kurti do donte të ishte, por nuk mundet

Radio-Ahireti