Image default

Tahiri: Çdo njeri t’i tregojë fëmijëve për heronjtë e UÇK-së, për urtinë e Rugovës e për sakrificën e Vasfije Krasniqit

Kjo akademi solemne është organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, i cili tha se më 17 shkurt 2008 u lind Republika e ëndrrave të shumë gjeneratave, një shtet i lirë e i pavarur i ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, dijen e intelektualëve, sakrificën dhe lotin e nënave kosovare.

Kreu i Vushtrrisë tha se populli i Kosovës asnjëherë nuk është ndalur së kërkuari të drejtën e vet për të qenë i lirë dhe i pavarur.

“Populli i Kosovës kurrë nuk u ndal së kërkuari të drejtën e vet për të qenë i lirë dhe i pavarur si të gjitha kombet e lira në botë. Ne e arritëm lirinë dhe pavarësinë falë përpjekjeve shekullore të popullit të Kosovës, falë punës së intelektualëve në lëvizjen për liri e pavarësi të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, falë luftës së lavdishme të UÇK-së e me ndihmën e vendeve mike, për të cilën ndihmë ne do të jemi mirënjohës tërë jetën. Mbrëmë derisa po i shpjegoja vajzave të mia përjetimet e mia për ditën e pavarësisë, i porosita që liria dhe pavarësia jonë individuale dhe kolektive është e shenjtë, atë duhet ruajtur e duhet mbrojtur me çdo kusht, në çdo kohë, nga cilido armik”, tha ai.

Tahiri tha se çdo njëri duhet t’iu tregojë fëmijëve për heronjtë e UCK-së, për trimërinë e Adem Jasharit, për urtinë e Ibrahim Rugovës, e sakrificën e Vasfije Krasniqit dhe invalidëve të UCK-së.

Në këtë ditë të shënuar, Tahiri foli edhe për menaxhimin e pandemisë që kanë bërë si komunë. Ai tha se viti 2021 ishte ndër më të rëndit për këtë qytet ku përveç pandemisë janë përballur edhe me vërshime.

Ai tha se në këtë qytet kanë humbur 62 qytetarë si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe mbi 2 mijë e 120 qytetarë të tjerë janë prekur me koronavirus.

“Ne arritëm të ndihmojmë mbi 3 mijë familje vushtrriase, të dhurojmë mbi 100 laptopë e tabletë për nxënësit e Vushtrrisë, dyfishuam bursat për studentët, përkrahëm 513 biznese me mjete financiare, liruam nga ngarkesat komunale mbi 1 mijë e 400 familje në asistencë sociale dhe ofruam mbi 7 mijë shërbime falas mjekësore në shtëpi. Jam i lumtur se përkundër pandemia ende është në mesin tonë ne kemi hapur shkollat, bizneset dhe jeta në qytetin tonë është normalizuar sadopak. Nuk mund të jem më krenar se të shërbej në një qytet ku ka kaq shumë heronj e sakrificë në përballje me pandeminë globale të shekullit tonë. Tani më Kuvendi Komunal ka aprovuar planin tim të rimëkëmbjes ekonomike, por do të duhet shumë kohë e mund që të dalim nga kriza e pandemisë së koronavirusit”, tha ai.

Në këtë akademi solemne, Tahiri foli edhe për ditën e zgjedhjeve të mbajtura me 14 shkurt.

“Ndërsa urimet tona shkojnë për fituesin, unë po ashtu sot dëshiroj e lutem që dëshpërimi e pakënaqësia e të rinjve tanë të përkthehet në energji për zhvillim e përparim të atdheut tonë. Politikanë kemi boll. Ata mund e duhet t’i ndërrojmë me votë, por atdheun tonë nuk duhet ta ndërrojmë asnjëherë. Ne jemi me fat që kemi mundësi t’i shërbejmë shtetit tonë të pavarur. Asnjë individ, grupim politik e fetar e etnik nuk është më i rëndësishëm se shteti ynë, se institucionet e pavarura të shtetit e të Republikës sonë. Në shërbim të Republikës detyra jonë themelore është që të respektojmë ligjin, të ndërtojmë një shtet të drejtë e të barabartë me mundësi të barabarta për të gjithë. Një shtet ku ne e fëmijët tanë kanë një të ardhme të ndritur, një shtet që i bënë të pushojnë të qetë heronjtë e rënë për liri”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Shaip Hyseni, tha se liria është arritur falë gjakut të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së.

“Përpjekjet dhe luftërat për liri të popullit tonë ishin të gjata dhe të mundimshme, brenda tyre kishte sakrifica të shumta të veprimtarëve, intelektualëve, dëshmorëve dhe martirëve. Pavarësia e Kosovës u realizua si rezultat i përpjekjeve të fundit të popullit tonë për liri dhe u kurorëzua me luftën heroike të UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Falë gjakut të dëshmorëve të kombit, gjymtyrëve të invalidëve dhe mundit të veteranëve të luftës së UÇK-së, ne sot festojmë të lirë këtë ditë. Andaj gjeneratë pas gjenerate do t’i kujtojmë dëshmorët, martirët e kombit dhe do të përulemi para tyre dhe veprës së tyre”, tha Hyseni.

TË ngjajshme

Qytetarët e Kamenicës në hall nga mushkonjat (Video)

Radio-Ahireti

Haradinaj: Kosova ka interes të fuqizojë kapacitetet operative të Policisë

Radio-Ahireti

Komuna e Prizrenit i liron qytetarët e saj nga provizioni i PTK-së për pagesat Komunale

Radio-Ahireti

Memli Krasniqi: Albin Kurti është totalitar dhe rrethohet me njerëz titistë e ekstremistë

Radio-Ahireti

Zgjedhje të reja, premtimet e njëjta – Kurti flet edhe njëherë për shërbimin ushtarak të detyrueshëm

Radio-Ahireti

Maqedoni e Veriut, 7 të vdekur dhe 347 raste të reja me COVID-19

Radio-Ahireti