tri-dekada-nga-rrezimi-i-shtatores-se-diktatorit-enver-hoxha,-persekutimet-dokumentohen-ne-muze

Tri dekada nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha, persekutimet dokumentohen në muze

Shqipëri shënon këtë vit 30-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënoi edhe simbolikisht rrëzimin e diktaturës, ndërkohë që në vend janë shtuar në vitet e fundit muzetë dhe institucionet që studiojnë dhe pasqyrojnë të kaluarën komuniste, shkruan Anadolu Agency (AA).

Më 20 shkurt 1991 rrëzohet shtatorja e ish-diktatorit Enver Hoxha

Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi në dhjetor të vitit 1990 dhe vazhdoi për disa muaj derisa u shndërrua në një lëvizje më të madhe me protesta popullore, duke sjellë edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Ish-diktatori Enver Hoxha e udhëhoqi Shqipërinë komuniste nga viti 1944 deri në vitin 1985 dhe pas vdekjes së tij sistemi komunist do të drejtohej nga Ramiz Alia, por vetëm për 6 vite, pasi demonstratat popullore dhe ndryshimet që pësuan regjimet komuniste në Evropë përfshinë edhe Shqipërinë.

Protestat që filluan në dhjetor të vitit 1990 fillimisht nga studentët do të kulmonin me rrëzimin e shtatores së ish-diktatorit Hoxha, më 20 shkurt 1991, moment ky që shënon edhe simbolikisht rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Shtatorja e ish-diktatorit Hoxha ishte përuruar në vitin 1988 në sheshin “Skënderbej” dhe rrëzimi i saj i hapi rrugën proceseve demokratike në vend.

Më 31 mars 1991 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste pasi ishin krijuar edhe disa parti politike pas rreth 50 vitesh diktaturë, ndërkohë që vendi kishte hyrë në fazën e tranzicionit.

Persekutimi komunist dokumentohet në muzeun Bunk’art 2

Teksa kanë kaluar 30 vite nga përmbysja e regjimit komunist, trashëgimia komuniste dhe krimet e komunizmit janë të dokumentuara në muze dhe institucione të tjera në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Një objekt i cili dokumenton sidomos persekutimin komunist është edhe ish-bunkeri antibërthamor i Ministrisë së Brendshme i ndërtuar mes viteve 1981 dhe 1986, që sot si objekt muzeal quhet Bunk’art 2, i vendosur në qendër të Tiranës.

Ky bunker tunel që u emërtua gjatë komunizmit si “Objekti Shtylla” u ndërtua me qëllim për të strehuar zyrtarë të lartë të vendit dhe stafin e Ministrisë së Brendshme në rast të ndonjë sulmi bërthamor, duke u ndarë në dhoma, por edhe apartament për drejtuesit e ministrisë.

Në vitin 2016 ish-bunkeri nëntokësor sekret u shndërrua në muze, ku brenda tij ekspozohen fotografi, dokumente, aparate përgjimi, pajisje dhe objekte të tjera të ndryshme që tregojnë aktivitetin e institucioneve policore dhe sidomos persekutimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Dokumentet dhe pajisjet dëshmojnë për dënimet me vdekje, ndjekjen, përgjimin, burgjet dhe kampet e përqendrimit, por edhe aktivitetin e strukturave të policisë dhe Ministrisë së Brendshme gjatë komunizmit.

Ndërkohë, duke qenë se është shndërruar në një objekt muzeal, pasqyron edhe historikun e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri gjatë historisë së shtetit shqiptar.

Interesi i turistëve të huaj është i lartë për muzeun në fjalë, ku edhe gjatë pandemisë COVID-19 nuk kanë munguar vizitorët, të cilët njihen nga afër me një nga muzetë e rinj të Tiranës, që dëshmon të shkruarën komuniste të Shqipërisë.

Në Shqipëri ka edhe objekte të tjera muzeale që tregojnë të kaluarën komuniste në vend, si pavijoni i persekutimit komunist në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në Tiranë që i kushtohet sistemit të përgjimeve që përdori regjimi komunist, si dhe Bunk’Art 1, që i dedikohet historisë së ushtrisë dhe jetës së përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të komunizmit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), gjatë regjimit komunist në Shqipëri rezulton se 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë janë burgosur si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 janë vrarë, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

The post Tri dekada nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha, persekutimet dokumentohen në muze appeared first on Mesazhi.com.

TË ngjajshme

Sekretari amerikan i Shtetit, fajëson Kinën për vonesën e përgjigjes ndaj koronavirusit

Radio-Ahireti

18 viktima dhe mbi 1 mijë raste të reja me Covid-19 në Shqipëri

Radio-Ahireti

Princi i Kurorës Saudite diskuton Iniciativën e Gjelbër me udhëheqësit arabë

Radio-Ahireti

Turqia i kërkon BE-së liberalizimin e vizave

Radio-Ahireti

10 deputetët me rritjen dhe rënien më të madhe të votave

Radio-Ahireti

Brenda një dekade largohen 600 mijë qytetarë nga Shqipëria

Radio-Ahireti