zoti-i-ndihmon-ata-qe-u-ndihmojne-njerezve-te-tjere

Zoti i ndihmon ata që u ndihmojnë njerëzve të tjerë

Zoti i dashur na ka krijuar nga një burrë dhe një grua dhe na ka ndarë në popuj dhe grupe, në mënyrë që të njihemi në mes veti dhe të afrohemi. Pikërisht për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të shkruhet për këtë temë dhe të inkurajohen njerëzit, që njëri-tjetrin ta trajtojnë si krijesa të Zotit me të njëjtën origjinë, dhe jo si qenie krejt të ndryshme dhe të huaja për njëra-tjetrën.

Është shumë e rëndësishme, veçanërisht në këto kohë, të inkurajohet vëmendja e njerëzve, respekti dhe dashuria për të tjerët dhe njerëzit e ndryshëm. Është e rëndësishme të përhapim besimin e vërtetë midis njerëzve dhe t’i inkurajojmë njerëzit, në cilësitë më të bukura njerëzore me të cilat duhet të zbukurohemi të gjithë.

Le të mësohemi t’i ndihmojmë njerëzit pavarësisht se kush janë. Çdo qenie njerëzore është e denjë për vëmendje dhe respekt. Le të kujdesemi që gjatë jetës sonë të gëzojmë dhe të bëjmë të lumtur sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Le të jemi miqësisht të disponuar me të gjithë. Le të përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit, nëse kemi mundësi, pavarësisht nga feja, kombi apo etnia e tyre. Zoti, i cili është Krijuesi i të gjithë njerëzve, i ndihmon ata që u ndihmojnë njerëzve të tjerë.

Kjo është arsyeja pse ne bëjmë bamirësi të ndryshme. Gjithmonë dhe kudo. Le të mos përpiqemi t’i ndajmë njerëzit, përveç nëse janë të mirë apo të këqij. Të mirëve tu ndihmojmë që të jenë edhe më të mirë, kurse të këqijtë të përpiqemi t’i udhëzojmë në një mënyrë të këndshme dhe të mirë që të pendohen dhe të ndryshojnë. Është e sigurt se tek çdo njeri ka mirësi, vetëm se atë mirësi duhet të dimë ta zgjojmë tek njeriu, ta ndezim dhe ta orientojmë në drejtimin e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Le të jemi fisnikë dhe njerëzorë edhe ndaj kafshëve, por edhe të përgjegjshëm ndaj natyrës që na rrethon. Le të jemi njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Njerëz të cilët gjithmonë do t’i qëndrojnë pranë dhe do ta ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse ne jemi krijuar si qenie shoqërore që për nga natyra e tyre mbështeten tek njëri-tjetri.

Le t’i duam njerëzit e tjerë dhe të jemi nxitës të paqes, solidaritetit, barazisë dhe drejtësisë, si dhe të besimit dhe dashurisë mes njerëzve. Le të mësohemi ta vlerësojmë përpjekjen, punën dhe përkushtimin e gjithsecilit. Le t’i respektojmë të gjitha përpjekjet fisnike njerëzore që përhapin optimizëm dhe atmosferë pozitive në bashkësi.

Njerëzve duhet ofruar buzëqeshje dhe fjalë të ngrohta, kushdo që të jenë ata, dhe duhet përpjekur për tu dalë në ndihmë, kujtdo që të ketë nevojë.

Le ta ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse, siç u tha më parë: Zoti i ndihmon ata që u ndihmojnë njerëzve të tjerë. Le të përhapim besim dhe t’ia zbukurojmë jetën njëri-tjetrit. Për lumturinë e të tjerëve, është e sigurt se edhe ne do të ndihemi më bukur dhe më të kënaqur.

Admir Iković;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

TË ngjajshme

Kurbani dhe rregullat e tij në Islam

Radio-Ahireti

Tregim i urtë: Të japësh është më mirë

Radio-Ahireti

Nëse ju lëndojnë, tallen me ju, ju shpifin…

Radio-Ahireti

Të përgatitemi për Ramazan: Thirrje për t’i agjëruar ditët e bardha të muajit Sha’ban

Radio-Ahireti

Morali i tij ishte Kurani

Radio-Ahireti

Vlerësimi i All-llahut xh.sh. për veprat tona të mira

Radio-Ahireti